Subscribe

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçic do të ballafaqojnë qëndrimet e tyre në një debat që do të zhvillohet në Forumin Europian Alpbach në Austri.  Dy presidentet do të flasin për temën e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe perspektivat e dy vendeve, Kosovës e Serbisë, drejt anëtarësimit në BE. Përveç Thaçit e Vuçicit, në këtë forum të pranishëm do të jenë edhe presidenti i Austrisë, Alexander Van Der Bellen, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor dhe komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn. Ky i fundit me anë të një postimi i ka paraprirë takimit ku do të diskutohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

 

“Diskutimet e perspektives së Bashkimit Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të procesit të Berlinit dhe çështje të tjera të bashkëpunimit rajonal, vazhdojnë të shpalosen. Bashkë me Presidentin Thaçi dhe Presidentin Vuçiç do të diskutojmë këto çështje në Alpbach.”

 

Pjesë e debatit do të bëhen dhe studiues, analistë e gazetarë të ndryshëm. Forumi Europian Alpbach është një platformë interdisiplinare për shkencën, politikën, biznesin e kulturën.

 

Ky forum është themeluar në vitin 1945 dhe përgjatë viteve ka trajtuar problemet social-politike të vendeve europiane.

 

Austria mban Presidencën e radhës në Bashkimin Europian dhe qëndrimi i saj në këtë presidencë është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *