Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se zhvillimet aktuale dhe disa veprime të institucioneve të Kosovës, po përcillen me shqetësim nga Qeveria amerikane, duke kërkuar që “këshilltat miqësore amerikane” të respektohen.

 

“Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane. Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit”, ka shkruar Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook.

 

Presidenti Thaçi po ashtu thotë se “teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës”.

 

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pranuar se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar që të pezullojë taksën prej 100 për qind, të vendosur ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Megjithatë, ai insiston se kjo masë do të hiqet kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

 

Presidenti Thaçi thotë se “cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë”.

 

“Gjithashtu, as arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian nuk e nderon shtetin dhe as nuk i bënë krenarë aleatët tanë dhe SHBA-në. Aleanca e Kosovës me SHBA-në peshon më shumë dhe është më e rëndësishme se interesi i kujtdo qoftë”, shkruan Thaçi./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *