Thaçi takon palët për datën e zgjedhjeve

Presidenti Hashim Thaçi do të vendosë ditët në vijim datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Kosovë, pas këshillimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Këtë të enjte ai thirri në takim përfaqësues të partive politike për të diskutuar për këtë çështje, por thirrjes nuk iu përgjigj LDK, e cila nuk e njeh më si president të vendit. Argumenti për bojkotin nga kjo forcë politike, është se PDK shkeli marrëveshjen e koalicionit, pasi zgjedhja e tij ne krye te shtetit ishte fryt i këtij pakti. 11 dhe 18 qershori janë dy ditët e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve, të cilat u propozuan edhe nga shumica e partive.
“Dëgjova opinionin e 20 partive politike dhe si president që jam do ta respektoj. Në ditët e ardhshme do ta caktoj datën e zgjedhjeve në konsultim me KQZ-në, qe do te jete 11 ose 18 qershori.”
Kryetarja e KQZ, Valdete Daka tha se ky institucion është gati të organizojë zgjedhjet, ndërsa kërkoi nga partitë që të respektojnë Kushtetutën e vendit.
Pas rrëzimit të qeverisë një ditë më parë në kuvend, që shënoi edhe rënien e koalicionit me PDK-në, kryeministri në detyrë Isa Mustafa njoftoi mbledhjen e kryesisë së LDK-së dhe të krerëve të degëve të saj për të diskutuar për zgjedhjet e ardhshme.
“LDK e fuqishme dhe unike do të ofrojë perspektivën më të mirë për Kosovën. Do të mbledhim rreth vetes të gjithë ata që ia duan të mirën këtij vendi. Vullneti i LDK-së i gërshetuar me interesat e vendit, kapërcen çdo interes tjetër!”, theksoi Mustafa në rrjetet sociale.




