Kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, takoi të premten në Prishtinë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa më pas vazhdoi vizitën në qytetin e Gjakovës dhe në Tropojë të Shqipërisë.

 

Në një komunikatë nga Zyra e Presidentit thuhet se Thaçi i shprehu mirënjohje Engelit për angazhimin për Kosovën dhe popullin shqiptar, tash e sa dekada.

 

“Është impresive kur e kujtojmë se ku ishim në vitin ’96 dhe kur e shohim ku jemi sot”, u shpreh Thaçi

 

Engel, i cili të enjten mori pjesë në përurimin e objektit të ri të ambasadës amerikane në Prishtinë, shfaqi shpresën e tij se Kosova “do të vazhdojë të përparojë në rrugën drejt prosperitetit, demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

 

Thaçi, thuhet në komunikatën për media, e ftoi kongresistin Engel që të angazhohet që SHBA-ja të mbetet e fokusuar në çështjen e Kosovës deri në, siç tha, përmbylljen e plotë të stories së Kosovës, me konsolidimin e plotë ndërkombëtar të vendit.

 

Engel po ashtu u prit nga autoritetet lokale në Gjakovë, si dhe në Tropojë, ku u takua edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

 

Kongresisti amerikan mori pjesë edhe në ceremoninë e vendosjes së emrit “Kongresmeni Eliot Engel” rrugës Gjakovë – Qafë Morinë – Tropojë.

 

Para se të vizitonte Kosovën, Eliot Engel takoi edhe zyrtarët në Beograd dhe vizitoi Luginën e Preshevës./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *