Thaçi: Nuk ka kthim pas për ushtrinë
Presidenti kosovar Hashim Thaçi thotë se do të presë kthimin e deputetëve serbë në kuvend për të votuar ndryshimet kushtetuese për ushtrinë, por nëse kjo është e pamundur, opsioni i vetëm mbetet drafti për transformimin e FSK-se.
“Unë dhe i gjithë spektri politik do të presim deri në sekondat e fundit ardhjen dhe votimin e ‘Listës Serbe’ për ndryshimet kushtetuese, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne do të vazhdojmë me projektligjin që kam nisur unë.”
Reklamë
Në një intervistë për Kosovapress Thaçi këmbëngul se nisma e tij është e vonuar dhe jo e nxituar, pasi Beogradi ka bllokuar pjesëmarrjen e ligjvënësve serbë në kuvend. Ai i mbetet premtimit se nëse projektligji që tashmë është në qeveri nuk do të marrë votat në parlament, do të japë dorëheqjen.
E ndërsa Thaçi është i vendosur për ushtrinë, Beogradi zyrtar është shprehur kundër formimit të saj. Përpara zgjedhjeve presidenciale të 2 prillit, kryeministri serb Vuçiç do të vizitojë Rusinë ditën e hënë, ku do të takohet me presidentin rus Putin. Siç e ka njoftuar vetë një ndër çështjet që do të diskutohet është ajo e bashkëpunimit ushtarak e teknik në industrinë e Mbrojtjes.
Serbia mbështetet tek Rusia për furnizimin me armë dhe në vizitën e Vuçic dhjetorin e shkuar në Moskë, forcave ajrore serbe iu premtuan nga Ministria Ruse e Mbrojtjes 6 avionë luftarakë Mig- 29, për të cilët nuk do të paguajë 30 tanke dhe 30 mjete amfibe. Kjo është sasia më e madhe që vendi ka marrë në 25-30 vitet e fundit.




