Dorëheqja e menjëhershme do të ishte vendimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në rast se do të konfirmohet aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale në Hagë për krime lufte.

Në një dalje të posaçme për mediat, Thaçi tha se një akuzë e tillë nuk duhet të heqë vëmendjen nga çështja të tjera të rëndësishme për Kosovën.

“Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat. Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Një shtet evropian e një shoqëri multi-etnike. I them edhe një herë JO hakmarrjes dhe PO tolerancës ndëretnike. Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhme euroatlantike.”

Si një “thumbim” për Hagën, Thaçi theksoi se në gjithë këto vite Serbisë nuk i ka kërkuar askush llogari për jetët e humbura kosovare në vitet e luftës.

“A mos vallë duhet të presim edhe ditën kur të na thuhet se duhet t’i kërkojmë falje. Serbisë për të zhdukurit tanë, për nënat e motrat tona ta përdhunuara, për spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër nesh?! Kjo pyetje absurde lind natyrshëm pasi askujt në Serbi më nuk i kërkohet llogari për krimet e luftës! Megjithatë, nuk dua të zgjatem sot me këtë teme krahasimi të proporcioneve të drejtësisë për krimet e luftës, e cila me siguri do të zërë vend në historinë e drejtësisë dhe politikës ndërkombëtare si një faqe e zymtë e tyre për këto dy dekada.”

Hashim Thaçi tha se nuk di nëse aktakuza u ngrit me qëllim në këtë moment për të prishur takimin në Shtëpinë e Bardhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *