Subscribe

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë transferuar  në qëndrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Aktakuza kundër tyre është konfirmuar më 26 tetor dhe detajohet në 68 faqe.

Veprat që rëndojnë ndaj katër të akuzuarve, kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Sipas Dhomave të Specializuara këto krime janë kryer në periudhën mars 1998 – shtator 1999 në disa vendndodhje të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore.

 

“Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: serbë, romë dhe ashkalinj; katolikë; civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”

 

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve.

 

“Nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në të gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eleminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

 

Sipas aktakuzës së Dhomave të Specializuara, pjesëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale janë Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të ish-UÇK-së.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *