Kosova voton në 11 qershor
Në 11 qershor Kosova do të shkojë në zgjedhjet e reja parlamentare. Presidenti Hashim Thaçi vendosi këtë datë, pas këshillimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Thaçi ka udhëzuar KQZ-në që të marrë hapat e nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Këtë të enjte ai thirri në takim përfaqësues të partive politike për të diskutuar për këtë çështje, por thirrjes nuk iu përgjigj LDK, e cila nuk e njeh më si president të vendit. Argumenti për bojkotin nga kjo forcë politike, ishte se PDK shkeli marrëveshjen e koalicionit, pasi zgjedhja e Thaçit në krye te shtetit ishte fryt i këtij pakti.
Kryetarja e KQZ, Valdete Daka tha se ky institucion është gati të organizojë zgjedhjet, ndërsa kërkoi nga partitë që të respektojnë kushtetutën e vendit.
Pas rrëzimit të qeverisë një ditë më parë në kuvend, që shënoi edhe rënien e koalicionit me PDK-në, kryeministri në detyrë Isa Mustafa njoftoi mbledhjen e kryesisë së LDK-së dhe të krerëve të degëve të saj për të diskutuar për zgjedhjet e ardhshme.“LDK e fuqishme dhe unike do të ofrojë perspektivën më të mirë për Kosovën. Do të mbledhim rreth vetes të gjithë ata që ia duan të mirën këtij vendi. Vullneti i LDK-së i gërshetuar me interesat e vendit, kapërcen çdo interes tjetër!”, theksoi Mustafa në rrjetet sociale.




