Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, me qëllim zbulimin dhe trajtimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.
Fatjona Kraja, Onkologe, shprehet se ky vit ka shënuar një rritje të numrit të rasteve të cilat trajtohen në shërbimin onkologjik.
“Nga të dhënat e spitalit onkologjik vetëm gjatë këtij muaji kemi rreth 20-25 ekzaminime mamografike çdo vit dhe rreth 10% kanë dyshime dhe këto pacientë dërgohen të bëjnë ekzaminime të tjera shtesë. Në dukje duket sikur muaji tetor vlen vërtet për ti shtyrë këto gra që të bëjnë ekzaminime, megjithatë ky ekzaminim duhet bërë për gjatë 12 muajve të vitit dhe jo vetëm në një muaj”, thotë mjekja.
Sipas mjekëve specialistë, mjekimet hormonale, obeziteti, ushqyerja dhe aktiviteti fizik janë disa nga faktorët që ndikojnë në rritjen e rasteve të kancerit të gjirit.
“Janë një sërë faktorësh risku të cilët ndikojnë në rritjen e incidencës të kancerit të gjirit, ku ndër më të rëndësishme, faktori moshë, të pasurit një histori më para në familje për kancer të gjirit. Nuk duhet të harrojmë që sot e më shumë po i mëshohet rolit që ka aktiviteti fizik, ushqyerja, dieta, mbipesha, obeziteti, mjekimet hormonale të cilat bëhen në periudha më të gjata se sa tre katër vite, që sipas studimet fliten se kanë risk më të lart për të zhvilluar një tumor të gjirit”, shpjegon ajo.
Gjatë tetorit rozë ndërmerren shumë fushata dhe aktivitete për ti bërë gratë dhe vajzat që të mos neglizhojnë por të realizojnë kontrolle periodike tek mjeku. /vizionplus.tv