Shqipëria luan sot miqësoren e parë për këtë vit, një test që i vë përballe Norvegjinë në orën 19:00 në “Elbasan Arena”. Kristian Panucci nis kështu një etape të re më kuqezinjtë, atë të përgatitjeve për ligën e kombeve, takimet e se cilës do të nisin në shtator! Trajneri italian po përpiqet të transmetoje idetë e tij tek skuadra, jo vetëm në aspektin e rreshtimit taktik të skuadrës që do të jetë 4-3-3, por edhe ne disa lëvizje në formacion.

 

Në portë, Tomas Strakosha që po kalon një superforme me Lazion në Itali, do të jetë titullar ndërsa mbrojtja me katër para tij do të ketë vetëm një ndryshim nga edicioni i fundit i eliminatoreve të botërorit. Në të majtë Lenjani ka fituar balotazhin me Naser Alijin, për fashon që deri pak kohë më parë ishte nje ekskluzivitet i Agollit, të cilin Panucci duket se nuk do ta ketë me prioritet për shkak të moshës.

 

Pjesa tjetër e mbrojtjes e përbërë nga Mavraj e Ajeti si dhe Hysaj në të djathtë. Mesfusha është reparti me më shumë risi, me Qaken dhe Ramadanin të projektuar si titullar përkrah eksperiencës së Taulant Xhakes. Ndërkohe ne treshen ofensive nga e djathta si gjithnjë do të jetë Odise Roshi, në të majtë Eros Grezda i rikuperuar pas problemeve fizike para disa ditëve, si dhe në majë të sulmit Armando Sadiku.

 

Nga ana tjetër, Norvegjia vjen me moral të lartë pas fitores bindëse 4 me 1 pak ditë më parë në një miqësore kundër Australisë që do të marrë pjesë në finalet e botërorit. Trajneri i njohur Lars Lagerbak vlerësoi Shqipërinë si një rival të fortë aq më tepër frymën që ka sjelle sipas tij Panucci në ekip.

 

Ndeshja do të gjykohet nga një treshe malteze me kryesor Fjodor Zamit 32 vjeç, ndërsa interesimi për takimin nga ana e tifozëve nuk është i lartë.

 

Ne 4 takimet e zhvilluara në të kaluarën mes këtyre dy ekipeve kombëtare, Shqipëria ka një fitore, nordiket gjithashtu 1, ndërsa dy takime kanë përfunduar në barazim. Sfida e fundit e luajtur ne “Qemal Stafa” para dy vitesh u mbyll 1 me 1, në kohën kur kuqezinjtë drejtoheshin nga De Biasi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *