Subscribe

Opozita kërkon që Shqipëria të ketë 80 deri në 90 bashki, si ndarja me e drejtë territoriale për të garantuar shërbime dhe investime për qytetarët. Bashkëkryetarja demokrate e komisionit të posaçëm për reformën territoriale Dhurata Çupi, sqaron se javën e ardhshme do të publikohet drafti i opozitës për numrin e bashkive dhe kufijtë e tyre.

 

Sipas Çupit reforma e vitit 2014 ka dështuar dhe në 11 qarqet  e vendit duhet të ndërhyhet për të rritur numrin e bashkive, duke përjashtuar Gjirokastrën, e cila në këndvështrimin e opozitës ka numrin e mjaftueshëm të njësive vendore.

 

DHURATA ÇUPI

BASHKEKRYETARE E REFORMES TERRITORIAL, PD

 

“Do mundohemi që edhe 11 qarqeve të tjera tu japim numër bashkish sa më efektive dhe sa më në shërbim të qytetarëve. Midis 80 dhe 90″ 

 

 

Çupi gjykon se duhet të preken edhe qarqet të cilat janë të parashikuara në kushtetutë. Sipas saj 12 qarqe janë shumë dhe vendi duhet të organizohet në rajone, por një ndryshim i tillë prek drejtpërdrejt sistemin zgjedhor.

 

“Ne në materialin tonë do të propozojmë që Shqipëria duhet ndarë në rajone dhe më pas është puna e komisionit të reformës zgjedhore numri, sepse ka të bëjë edhe më reformën zgjedhore.”

 

Por nga ana tjetër kryetari i PD Sali Berisha dhe deputetët që janë në krah të tij në fillim të shtatorit do të depozitojnë në parlament draftin e tyre për reformën territorial, pavarësisht se nuk kanë asnjë përfaqësues në komisionin e posaçëm.

 

“Raporti që ne do të prezantojmë do të jetë një raport që mbron interest e gjithë grupit të PD. Nuk mendoj që do të ketë vërejtje, por qëllimi është që ne të mbrojmë interest e qytetarëve shqiptarë. Absolutisht është i mirëpritur çdo raport që i shërben kësaj.”

 

Afati i komisionit të reformës territoriale përfundon në 30 shtator. Deri më tani publikisht partia socialiste ka mbështetur ndarjen aktuale me 61 bashki dhe duket e vështirë që mazhoranca të pranojë një numër më të lartë bashkish.

 

Deputetët demokratë që mbështesin si kryetar të grupit parlamentar Enkelejd Alibeajn kërkojnë që të shtohen të paktën 20 bashki. Ndërkohë që lideri i PD Sali Berisha do të depozitojë një draft tjetër për ndarjen territoriale, i cili gjithashtu parashikon që Shqipëria të ketë rreth 80 bashki.

 

Në këtë situatë mbetet për tu parë nëse në harkun kohor të një muaji palët do të gjejnë konsensus apo reforma territoriale do të dështojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *