Shkollat “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi” në Sauk po pajisen me terrene sportive dhe mure rrethuese për sigurinë e nxënësve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet dhe e cilësoi ndërhyrjen e bashkisë si një lajm të mirë për banorët.
“Ka qenë një merak i yni sepse fëmijët shkonin në terrene sportive private, ndërsa as shkolla nuk kishte rrethimin e duhur e krejt papritur oborri kthehej në parkim makinash. Sot kemi terrenet sportive, territori i shkollës është rrethuar, çka e bën të qartë se ky është një terren publik”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku ftoi komunitetin dhe shoqatat sportive të shfrytëzojnë këto hapësira pas orëve të mësimit, për të siguruar një përdorim maksimal të terreneve të reja të basketbollit dhe futbollit.
“Kemi disa investime të tjera për Njësinë 2, ndaj me të mbaruar me këtë kantier, do të hapim disa fronte të reja: së pari, te ‘Spitali i Arabit’ ku do ndërtojmë një shkollë, ndërsa po aty përballë, te Akademia e Policisë, ai sheshpushim dhe parkingu që është pronë e Bashkisë së Tiranës, do të bëjmë një shkollë tjetër”, tha Veliaj.
Erion Veliaj tha se investimet ne institucionet arsimore do të vijojnë të jenë në fokus të punës së bashkisë./vizionplus.tv





