Termometri -21 gradë, ndërpritet mësimi në disa shkolla të Korçës

Temperaturat ekstremisht të ulëta që kanë përfshirë Shqipërinë gjatë këtyre ditëve janë reflektuar më së shumti në zonat malore e mbi të gjitha në fshatrat e thellë të juglindjes.
Në dy shkolla të qarkut të Korcës është ndërprere edhe procesi mësimor.
Bëhet fjalë për shkollat e fshtarave Rrëmbec dhe Orman, fshatra ku temperaturat shkojnë në -21 C.
Ndërsa në të gjithë shkollat e tjera, mësimi ka vijuar normalisht, por me orar të reduktuar.
Një gjë e tillë është bërë me dije nga Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Kristaq Grabocka i cili ka konfirmuar se në këto shkolla mësimi do të vijojë me të njëjtin orar edhe në ditët në vijim, pasi gjithnjë sipas titullarit rajonal të arsimit, lënda djegëse është e siguruar në të gjitha shkollat.
Gazetari i Vizion Plus në Korçë Tonin Frroku ishte paraditen e kësaj të marte në shkollën “Ismail Qemali”, shkollë kjo periferike në qytetin më të madh në juglindje të vendit.
Edhe në këtë shkollë ngrohja nuk mungonte, por Drejtoria e Shkollës ka qenë e detyruar që mësimin ta kryejë me orare të reduktuara.
Vendimi për mosndërprerjen e mësimit dhe zhvillimin e orëve të mësimit të reduktuara, u mor pas një konsulte mes prindërve, drejtorive të shkollave dhe Drejtorisë Rajonale të Arsimit.




