Ministra, kryebashkiakë dhe Vangjush Dako kanë përfunduar në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Ishte Partia Demokratike ajo e cila kallëzoi penalisht në SPAK këtë të enjte kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryebashkiakun e Krujës, Artur Bushi, ish-kryebashkiakët e Durrësit, Valbona Sako e Vangjush Dako si edhe ministrat Sandër Lleshaj e Besa Shahini.

 

PD, me anë të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi ka vënë në lëvizje SPAK për tërmetin, duke kallëzuar emrat e lartpërmendur si persona që kanë përgjegjësi.

 

“Siç e dini, struktura që ju aktualisht drejtoni është institucioni më i ri i krijuar nga organet e drejtësisë. Ndaj ky kallëzim apo kallëzimet e ngjashëm me të, janë rasti ideal që SPAK të provohet në sytë e opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar dhe tashmë të tregojë me vepra se organet ligjzbatuese shqiptare do të vendosin përpara ligjit çdo shkelës të ligjit, pavarësisht nëse është apo jo i pasur apo i veshur me pushtet. Nga ana e SPAK kërkojmë: Regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj personave të kallëzuar, të identifikuar ose jo, si edhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara më sipër.”

 

Selia blu i akuzon zyrtarët e lartë për 5 vepra penale: “Shpërdorim detyre”, “Vrasje nga pakujdesia” në rrethana rënduese, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *