Më shumë se 48 orë pas tërmetit shkatërrues në Marok, ekipet e kërkim-shpëtimit po luftojnë me kohën në përpjekje për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja.

 

Nga të dhënat e fundit të autoriteteve numri i viktimave ka shkuar në 2122, ndërsa mijëra të lënduar ndodhen në spitale dhe qendra të tjera të ngritura pas tërmetit.

 

Grupe nga SHBA, Britania, Spanja dhe vende të tjera kanë mbërritur në zonat e prekura dhe po ndihmojnë në përballimin e situatës. Franca ka njoftuar dhurimin e 5 milionë eurove për organizatat joqeveritare, që aktualisht marrin pjesë në operacionet e ndihmës në Marok.

 

 

Situata më e vështirë mbetet në zonat rurale në afërsi të malit Atlas, aty ku ishte edhe epiqendra e tërmetit. Në këto zona gurët dhe mbetjet kanë bllokuar rrugët, çka e vështirëson dhe ngadalëson më shumë punën e grupeve të shpëtimit, për këtë arsye po operohet kryesisht me helikopterë.

 

Përveç jetëve të humbura dhe të plagosurve, tërmeti 6.8 ballësh ka shkatërruar fshatra të tërë për shkak edhe të strukturës së dobët të ndërtimit me tulla balte dhe dru.

 

 

Shumë banesa janë dëmtuar edhe në qytetin Marakesh, më i afërti me epiqendrën duke lënë në qiell të hapur mijëra qytetarë të cilët i kanë kaluar netët pas tërmetit jashtë. Disa për shkak të banesave të shkatërruara e të tjerë prej frikës nga paslëkundjet.

 

Përveç strehimit problem mbetet furnizimi me ujë, ushqime dhe energji elektrike.  Tërmeti i Marokut është vlerësuar si më vdekjeprurës në Afrikën Veriore që prej vitit 1960.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *