Tërheqja e padisë ndaj BILD/ PD: Rama e dinte që do dilnin në dritë fakte mafioze

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas tërheqjes së padisë së kryeministrit Edi Rama ndaj gazetës gjermane BILD.
Në një postim në “Facebook”, Bardhi shkruan se kreu i qeverisë e tërhoqi kallëzimin penal sepse e dinte që nëse hapej një porces gjyqësor do të dilnin në dritë fakte që sipas Bardhit do të tregonin në detaje planin mafioz të socialistëve për shitblerjen e votave.
Ai shprehet se tashmë ka ardhur momenti që drejtësisa shqiptare të veprojë dhe të dënojë pa asnjë vonesë krimet zgjedhore dhe t’i hapë rrugë procesit të integrimit europian.
“Si gjithmonë, Edi Rama zbatoi strategjinë e tij bajate sa herë kapet i zhytur në krim: Mohoi faktet, sulmoi opozitën, gënjeu qytetarët dhe gjoja e paditi gazetarin për shpifje, me shpresën se skandali do të harrohej dhe ai do të tërhiqej nga çështja pa zhurmë. A ka shqiptar që e beson se nëse do ishte i pastër Edi Rama nuk do ti shkonte deri në fund këtij gjyqi dhe ti faktonte botës, siç thoshte, që këto janë shpifje? Edi Rama e dinë se me drejtësinë gjermane nuk bëhet shaka. Ata as nuk shiten, as nuk blihen e as nuk shantazhohen. Prandaj u tërhoq, duke faktuar kështu se gjithçka çfarë ka thënë BILD është e vërtetë dhe se Edi Rama në bashkëpunim me krimin e organizuar, bleu dhe vodhi zgjedhjet e viteve 2016 dhe 2017. Tani është koha e drejtësisë shqiptare që të bëjë drejtësi, të dënojë pa asnjë vonesë krimet zgjedhore dhe t’i hapë rrugë procesit të integrimit europian.”
Reklamë
Bardhi shtoi se përgjimet e publikuara nga BILD bënë që Gjermania të vendosë si kusht hetimin e shitblerjes së votes për nisjen e bisedimeve të antarësimit me BE.
“Gazeta BILD e quajti ”Shtet Mafioz” shtetin e ndërtuar nga Edi Rama, duke i faktuar botës, përmes përgjimeve të prokurorisë shqiptare, se si me urdhër të Edi Ramës nuk hetohej vjedhja e zgjedhjeve në Shqipëri. BILD provoi si bashkëpunonte Vangjush Dako me klanet mafioze, me bekimin e Edi Ramës, për vjedhjen e zgjedhjeve në Durrës. BILD i tregoi botës se si vepronte e gjithë Qeveria, me në krye Damian Gjiknurin, si organizatë kriminale për të blerë, manipuluar votat dhe shantazhuar votuesit në Dibër. Këto fakte e shumë e shumë të tjera bënë që vetë Gjermania ta verë si kusht, për nisjen e bisedimeve të antarësimit me BE, hetimin e shitblerjes së votës”.




