E enjte, 17 Shtator 2026 Film TV deri në 22:30 Në vijim ora 22:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Tërheqja e Bidenit pritet të dominojë takimin e BE-së

Ilustrim · Vizion Plus

Njoftimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për tërheqjen nga gara presidenciale pritet të dominojë një takim të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, që mbahet sot.

Temat kryesore të planifikuara janë konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, por vendimi i Bidenit ka të ngjarë t’i lërë ato nën hije.

Biden i dha mbështetje zëvendëses së tij, Kamala Harris, për të garuar në zgjedhjet e nëntorit kundër rivalit republikan dhe ish-presidentit, Donald Trump.

Megjithatë, vendimin përfundimtar për kandidatin do ta marrë Partia e tij Demokratike.

Marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara u përkeqësuan gjatë mandatit të parë të Trumpit si president, i cili zgjati nga viti 2017 deri më 2021.

Në një pjesë të madhe të BE-së tani ka frikë se një mandat i dytë i tij do të mund të ketë pasoja të gjera për luftën në Ukrainë, për tregtinë globale dhe për sigurinë evropiane në përgjithësi.

Megjithatë, jo të gjitha kryeqytetet e BE-së i ndajnë këto shqetësime.

Kryeministri polak, Donald Tusk, e lavdëroi Bidenin për, siç shkroi në X, “vendimet e shumta të vështira, falë të cilave Polonia, Amerika dhe bota janë më të sigurta dhe demokracia është më e fortë”.

Por, Geert Wilders, udhëheqës i ekstremit të djathtë në Holandë, postoi një fotografi që e tregonte Trumpin me grusht të ngritur, pas atentatit kundër tij, së bashku me fjalët “President Trump”.

Vëmendja ka të ngjarë të përqendrohet edhe te kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili u takua me Trumpin këtë muaj./rel

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh