Natyra është shërimi dhe terapia më e mirë për të qenë të suksesshë. Të gjithë e dimë se sa mirë ndihemi kur jemi në natyrë. Tingujt e pyllit, aroma e pemëve, rrezet e diellit që depërtojnë dhe lodrojnë mes degëve, ajri i pastër…

 

Të gjitha këto na falin një lloj paqeje të veçantë, sikur na çlirojnë nga ngarkesat e përditshmërisë e na ndihmojnë të qetësohemi e të kthjellojmë mendimet. Të qenët në natyrë, të ngre humorin, të jep energji dhe sikur të rinon. Është e çuditshme që jemi kaq të vetëdijshëm për të gjitha këto, ama rrallë e marrim mundimin të kalojmë kohë në natyrë. Sa herë që jam në natyrë, më vjen ndër mend vegjëlia, koha që kalonim në fshat apo në kodrat rreth qytetit, mes gjelbërimit të pafund. Kujtoj lojërat kukafshehthi me shokët e shoqet dhe hipjet e zbritjet nëpër pemë.

 

E kujtoj ende aromën, bukurinë dhe paqen që më falte lulëzimi i kumbullës në pranverë. Por ç’është kjo ndjenjë? Çfarë fshihet pas saj? Përse natyra na fal këtë ndjesi? Gjithmonë kam dashur të di pse ndihemi kaq mirë kur jemi në natyrë. Cili është sekreti i gjelbërimit dhe pse ai na bën më të lumtur? Pse shëtitjet në pyll na përmirësojnë humorin?

 

Po ju kur keni dalë për herë të fundit për një shëtitje në pyll dhe jeni mrekulluar aq shumë pas tij, saqë jeni ndalur për një çast për të shijuar atë mrekulli? Kur ka qenë hera e fundit që keni vërejtur një syth gati në të shpërthyer dhe një gonxhe gati në të çelur? Me siguri, shumë prej nesh nuk janë në gjendje të japin një përgjigje për këtë, por dinë të thonë se sa orë kanë kaluar me sytë ngulur në një ekran kompjuteri apo celulari. Të ngujuar në zyrat me ajër të kondicionuar, shpesh as që e vëmë re se çfarë moti bën jashtë mureve, ndonjëherë nuk vëmë re as ndryshimin e stinëve. E keni parë që dielli shkëlqen fuqishëm? E keni kuptuar që ka ardhur vera? Sa do të doja të kisha fatin që dritaret e zyrës sime të ishin me pamje nga ndonjë park i lulëzuar e ta kaloja orarin e pushimit duke shëtitur në atë peizazh të bukur! Të jesh në natyrë, të dëgjosh, të shijosh dhe të prekësh aromat dhe tingujt e saj, është magjike.

 

Nevoja biologjike e njerëzorëve për t’u lidhur me natyrën, quhet biofili. Kjo fjalë vjen nga greqishtja e lashtë dhe do të thotë “ta duash jetën dhe natyrën”. Sipas kësaj teorie, kjo nevojë njerëzore vjen si pasojë e faktit që njeriu ka evoluar në natyrë, prandaj i do gjërat që e kanë ndihmuar të mbijetojë. Ne jetojmë në tokë dhe jemi gjenetikisht të predispozuar për ta dashur natyrën. Kjo dashuri është thelbësore për shëndetin dhe kontakti me natyrën konsiderohet si një nga dietat më të shëndetshme. Biologu amerikan E. O. Uillson thotë: “Ekzistenca jonë varet nga kjo prirje, shpirti ynë është i endur prej saj dhe shpresat tona varen tek ajo.

 

Ne jemi të destinuar të lidhemi me të dhe shëndeti ynë, ashtu siç përmirësohet kur jemi pranë saj, ashtu edhe vuan kur i shkëputim lidhjet me të.” Pra, kur jemi në harmoni me natyrën, ne nisim procesin e shërimit. Sistemi nervor forcohet dhe shëndeti fizik i rikthehet normalitetit. Nëse do të flisja për lidhjen time me natyrën sot, ajo është shumë e ndryshme në krahasim me vegjëlinë. Është e natyrshme që shumica prej nesh janë përfshirë nga rutina punë-familje dhe anasjelltas dhe jemi kthyer në specie më urbane, trend që në fakt, duket se po pushton mbarë botën. Ashtu sikurse është kthyer në trend që të kalojmë më shumë kohë brenda mureve, sesa jashtë tyre. Sipas studimeve të kohëve të fundit, sot njerëzit e kalojnë 90 për qind të kohës brenda dhe 6 për qind në makinë.

 

Llogarinë se sa kohë kalojmë jashtë, pa llogaritur në natyrë, me siguri që e bëni vetë fare lehtë. Po çfarë bëjmë brenda mureve të shtëpisë? Ah, po, merremi me celular! Duke iu referuar sërish studimeve më të fundit, rezulton se sot, shumica e njerëzve kalojnë po aq kohë me sytë ngulur nëpër ekranet e celularëve, sa edhe duke fjetur. Si ju duket kjo? Sa më shumë kohë harxhojmë me celular në dorë, aq më të prirë jemi për të vuajtur pasojat e këtij veprimi, siç janë: ankthi, dhembjet e kokës, stresi, lodhja, dhimbjet e qafës e të shpinës dhe luhatjet e humorit. /Living

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *