Në Rudarë të Zveçanit dhe në Leposaviq janë bllokuar rrugët, teksa në Mitrovicën e Veriut dhe Rudarë janë dëgjuar edhe sirenat. Sipas informatave që Radio Evropa e Lirë ka siguruar nga terreni, në Rudarë janë parë katër kamionë dhe tetë automjete të ambulancës, ndërsa aty janë grumbulluar edhe një numër i njerëzve – burra të maskuar dhe gra.

 

REL-i mëson se mes atyre që janë thirrur të dalin në rrugë janë edhe punëtorët e institucioneve nga arsimi dhe shëndetësia. Arsyeja e arrestimit nuk është bërë ende e ditur, mirëpo këto zhvillime vijnë pas një arrestimi që u bë sot në veri. Shefi i Zyrës për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviq, ka deklaruar se në Jarinjë sot është arrestuar Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës. Tensionet janë shtuar gjatë ditëve të fundit në veri të Kosovës dhe që nga 6 dhjetorit janë regjistruar të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave dhe hedhje të shok bombave. Më 8 dhjetor, ndërkaq, një zyrtar policor u lëndua lehtë pasi Policia u sulmua gjatë patrullimit në një fshat të Zveçanit. Policia e Kosovës ka shtuar prezencën në këtë pjesë të Kosovës, me qëllim, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për sigurimin e qytetarëve. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se “Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri” dhe se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë në Kosovë”.

 

Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – ishin caktuar të mbahen më 18 dhjetor. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre. Por, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas konsultave me partitë politike, më 10 dhjetor njoftoi se zgjedhjet janë shtyrë për prillin e vitit të ardhshëm. Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri. Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Në takimin e së shtunës, Komisioni Zgjedhor i Kosovës vazhdoi përgatitjet për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur në takim liderëve të partive politike për konsultim për këto zgjedhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *