Me tensione dhe përjashtime të shumta të deputetëve të opozitës janë shoqëruar seancat e fundit plenare.

 

Deputetët e opozitës po tentojnë të bllokojnë seancat duke bllokuar foltoren dhe duke i rënë bilbilit, ndërsa kryeparlamentarja ka marrë vendimin për përjashtimin e disa ligjvënësve.

 

Por për deputetin e PS Petro Koçi, këto veprime të opozitës janë të planifikuara.

 

Në një intervistë për Vizion Plus me Roland Zilin, Koçi tha se pas dështimit të protestave, opozita po e zhvendos tensionin në Kuvend.

 

Edhe ne kemi praktikuar një lloj revolte në Kuvend kur na është hequr e drejta e votës së fshehtë. Ju kujtohet një mocion që do bëhej për zonjën Topalli dhe nuk na është lejuar që votimi të bëhej i fshehtë. Opozita sot po përpiqet që dështimin e saj në protesta ta zëvendësojë me dhumë në Parlament. U bënë disa seanca që më shumë flet opozita sesa mazhoranca.

 

Ata e  kanë planifikuar që të përjashtohen dhe të shkelin hapur rregulloren. Sot kanë shkulur mikrofonat përveç se i kanë fryrë bilbilit. Nuk ka ndonjë qëllim nga mazhoranca që t’i përjashtojë”, tha Koçi.

 

Ndonëse përçarja e PD në dy grupe vijon të jetë aktuale, për Koçin edhe sikur ata të jenë të bashkuar, nuk do të arrijnë dot rezultate pozitive në vendoret e 14 majit.

 

PD si e bashkuar si e pa bashkua, si me vulë si pa vulë do humbas zgjedhjet në 14 maj”, deklaroi ai.

 

Lidhur me ngritjen e një komisionin hetimor për çështjen “McGonigal” të kërkuar nga opozita, Koçi tha se nuk është marrë një vendim për dy arsye.

 

Së pari sipas tij ka një iniciativë për ndryshime ligjore për ngritjen e komisionit dhe së dyti, në kërkesën e opozitës ka dyshime për falsifikim të firmave.

 

Janë dy çështje. Ka një iniciativë për të ndryshuar ligjin për komisionin hetimiore. Por ka e një problem tjetër që duket si teknik por është çështje më e thellë morale. Disa deputetë dyshohet se kanë falsifikuar firmat.

 

 Ka pasur 2-3 iniciativa që në përmbajtje kanë të njëjtën gjë dhe këto janë bashkuar të gjitha në formën e një mocioni. Kjo është një flluckë sapuni dhe kështu ka për të përfunduar”, tha Koçi për Vizion Plus.

 

Sipas deputetit të PS, çdo lloj tensioni që krijohet, është në dëm të vendit tonë.  Koçi siguroi qytetarët se zgjedhjet e 14 majit do të bëhen normale dhe nuk do të ketë asnjë problematikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *