Një ditë para hyrjes në fuqi te reciprocitetit, për targat dhe për dokumentet e identifikimit të serbëve, në veri kanë nisur tensionet. Policia ka konfirmuar se janë dëgjuar të shtëna armësh, në drejtim të uniformave blu. Ndërkohë disa rrugë në veri të Mitrovicës në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë bllokuar.

 

Menjëherë pas incidenteve ka reaguar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili ka thënë se ende pa filluar lëshimi i dokumenteve të hyrjes e daljes nga Kosova, strukturat ilegale serbe kanë bllokuar rrugët dhe kanë nisur trazirat.

 

ALBIN KURTI
KRYEMINISTWR I KOSOVWS

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat.”

 

Gjithashtu Kurti ka bërë me dije se ditët në vijim do të jenë sfiduese.

 

ALBIN KURTI
KRYEMINISTER I KOSOVES

“Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit.”

 

 

Ndërkohë që ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se mbështet reciprocitetin dhe se vendosja e ketyre masave me Serbinë është e drejtë dhe e bazuar në ligjet vendore dhe ato ndërkombëtare.

 

Nga 1 gushti, të gjithë serbët që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal.
Ndërkaq, nga e hena po ashtu të gjithë qytetarët që kanë makina me targa me emra të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, do të mund të duhet ti riregjistrojnë ato me targat RKS.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *