Ndërsa media serbe e ka krahasuar gjendjen në veri të Kosovës me shpalljen e një lufte, tensionet vijojnë të përshkallëzohen. Në shenjë proteste për arrestimin e Marko Gjuric disa qytetarë s’kanë bllokuar rrugët në veri me makina e kamionë, një praktikë kjo aspak e re për ta.

 

Këto janë pamjet e një dite më parë kur shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, u arrestua së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Presidentit Vuçiç, Nikola Selakoviç, pasi hynë në Mitrovicë edhe pse iu ishte ndaluar ta bënin një gjë të tillë.

 

Ndërkohë pritet vendimi i Listës Serbe, anëtarët e të cilës gjenden në Beograd për t’u konsultuar me presidentin Vuçic përpara se të marrin një vendim nëse do të vazhdojnë të qëndrojnë në qeverinë e Kosovës apo jo.

 

Tensionet vijnë menjëherë pas takimit Thaçi-Vuçic në Bruksel në përpjekje për të dialoguar mbi çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve. Aksionin e arrestimit të Gjuriç, presidenti serb e ka cilësuar si ‘veprim terrorist’, i cili sipas tij, kishte edhe mbështetjen ndërkombëtare, përkatësisht  te vendeve perëndimore.

Vuçiç nuk është pajtuar me autoritetet e Prishtinës në lidhje me kërkesën e Gjuriçit për vizitë në Kosovë. Ai tha se sipas marrëveshjes, qeveria e Serbisë nuk kërkon leje, por i njofton autoritetet vendase për vizitat. Një pretendim ky që hidhet poshtë nga ekspertët të cilët thonë se rregullat tashmë janë të qarta. Sa i përket dialogut me Kosovën kreu i shtetit serb, tha se në këto rrethana është vështirë të flitet dhe se vendimet duhet të merren me gjakftohtësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *