Është mbyllur pikëkalimi kufitar në Merdare, për shkak të vendosjes së barrikadave në Serbi rreth dy kilometra nga ky kufi.

Kështu njoftoi mbrëmjen e 27 dhjetorit Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë.

Merdarja – një prej pikëkalimeve kufitare me Serbinë – përdoret në masë të madhe nga diaspora kosovare për hyrje-dalje nga Kosova.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se “grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në Merdare”.

“Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

MPJD udhëzon qytetarët që tashmë kanë hyrë në Serbi, që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut -pikëkalimi kufitar i Preshevës – përmes Shkupit.

Më 27 dhjetor, në veri të Kosovës janë vendosur dy barrikada të reja, njëra nga to në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve – vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë – dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Barrikada në këtë lagje është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor.

Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *