Subscribe

Qeveria ka hapur një tender me një shumë prej 15 milion eurosh, që ajo e quan përmirësim i sistemit të faturimit i cili do të aplikohet nga tatimet. Ministria e financave sqaron se ky sistem synon të mbikëqyrë në kohë reale pajisjet fiskale të bizneseve, por nga ana tjetër do të shmangë edhe plotësimin me dorë të faturave të shitjes nga ana e subjekteve. Aktualisht bizneset në mbyllje të ditës deklarojnë në kasë xhiron e kryer, por me formatin e ri çdo faturë e prerë do të kalojë në kohë reale në këtë sistem. Për ekspertët e fushës, pikëpyetja që shoqëron këtë format të ri raportimi lidhet me faktin se kasat aktuale të biznese do të duhet të përshtaten me këtë program dhe ky fakt do të ketë një kosto shtesë.

 

Nuk mjafton që çdo vit për mirëmbajte të kasës çdo biznes paguan 70 euro. Tashmë riformatimi do të ketë një kosto më shumë, mos harroni mund të jenë 200 mijë kasa që përdor biznesi të cilat do të rikonfigurohen. Dhe në fund çfarë vlerë ka kjo? Sipas meje kjo procedurë nuk sjellë një vlerë të shtuar në sistemin e tatime. Ajo që vlen është krijimi i një sistemi të integruar të dhënash mes tatimeve doganave apo dhe sigurimeve dhe jo një program i tillë”- thotë Agim Binaj, kontabilist.

 

Ministria sqaron se ky sistem i ri është gjithëpërfshirës, pasi mbulon çdo transaksion të mundshëm dhe do të rrisë efikasitetin e administratës tatimore. Por nga ana tjetër lind pyetja se miliona transaksione ditore që do të shtohen për shkak të raportimit të çdo fature kush do ti menaxhojë? Ekspertët thonë se administrata nuk ka kapacitet për të bërë këtë lloj menaxhimi.

 

Nuk e kuptoj si mund të meren vendime të tilla që prekin të gjithë bizneset pa u konsultuar më parë me ta. Këtë praktikë askush nuk e di dhe ajo që ne s’dimë është kujt praktike i janë referuar për këtë nisëm? –vijon më tej Binaj.

 

Komuniteti i biznesit nuk ka dijeni për këtë praktikë të re. Ndërkohë që në shtator pritet të mbyllet tenderi dhe më pas do të përzgjidhet kompania që do të dalë fituese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *