Prej 5 ditësh 10 fshatra në zonat malore të Pogradecit janë pa ujë të pijshëm për shkak të ngrirjes së tubacioneve.

 

Bëhet fjalë për fshatra të cilat e kanë me orar furnizimin me ujë të pijshëm dhe kjo ka qenë arsyeja që tubacionet kanë ngrirë duke lënë pa ujë banorët. Janë 7 fshatra të njësisë administrative Trebinjë si dhe tre fshatra të tjerë në njësinë Velçan në bashkinë e Pogradecit, të cilat sipas administratorëve të këtyre njësive kanë mbetur pa ujë. Një situatë për të cilën ka nisur puna për rikthimin e ujit të pijshëm, por temperaturat shumë të ulëta e bëjnë të vështirë punën e punonjësve të shërbimeve publike.

 

Pritet që vetëm me rritjen e temperaturave të shkrijnë tubacionet dhe banorët të furnizohen me ujë. Ermal Tola administrator i Trebinjës ka bërë me dije se nga dita e sotme ka një përmirësim të gjendjes së rrugëve, kjo edhe pas ndërhyrjeve të kryera në këto akse të thella malore që lidhin fshatrat me qendrën e njësisë. Edhe në fshatrat e njësisë administrative Velçan, sipas administratorit Mentor Rapçe po punohet për të normalizuar qarkullimin.

 

Vazhdon të jetë me probleme qarkullimi në 6 fshatra të njësisë administrative Dardhas, përfshi këtu edhe fshatin Osnat, kjo për shtat të trashësisë së borës por edhe pranisë së madhe të akullit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *