Subscribe

Në vendoret e 14 majit, të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhje nuk do të mbeten në raportimet nga terreni të administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por këtë proces do ta bëjë pajisja e identifikimit elektronik.

 

“Mënyra sesi do të bëhet ky transmetim i informacionit, bëhet nëpërmjet një modemi USB me një kartë, i cili do të jetë i konfiguruar nga KQZ në momentin që do të vihet në punë pajisja. Do të ketë një kod sigurie. Ky informacion do të jetë kryesisht se sa është numri i votuesve çdo orë, do të jetë për numrin e votuesve 18 vjeç, pra ata që votojnë për herë të parë dhe do të jetë edhe për disa fasha moshore”, deklaroi Anëtari i Komisionit Rregullator, Dritan Caka.

 

Dritan Çaka, anëtari i “Rregullatorit” thotë për Vizion Plus se mundësia që të gjitha të dhënat, që përmban pajisja e identifikimit me shenjat e gishtërinjve të zgjedhësve, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen, të bien pre e një sulmi kibernetik është i pamundur.

 

“Neve kemi vendosur që këto pajisje nuk janë në rrjet, pra kjo do të thotë që nuk mundet askush të ketë aksesin në këto pajisje dhe në informacionin që përmbajnë”, deklaroi Caka.

 

Të njëjtën siguri do të ketë edhe transmetimi i rezultatit të zgjedhjeve direkt pasi mbyllen qendrat e votimit në tre bashkitë, Elbasan, Vorë dhe Kamëz ku vota do të numërohet elektronikisht.

 

“Jo, sepse është tërësisht i verifikueshëm ky infomacion që do të sillet në KQZ me raportin fizik që është printuar nga pajisja përpara se informacioni të transferohet”, shprehet ai.

 

Nëse në vendoret e pjesshme të 6 marsit, rezultati i zgjedhjeve për bashkinë Vorë doli pas dy orësh si pasojë e disa problemeve teknike, këtë herë teknologjia që do të zbatohet do të jetë më e shpejtë, pra “ethet”, kandidatëve për kryebashkiakë do t’u zgjasin më pak.

 

“Mundësia është që edhe brenda 20 minutave nga mbyllja e qendrave të votimit të kemi një rezultat paraprak”, shton Caka.

 

Për aq kohë sa në dy proceset e fundit zgjedhore teknologjia rezultoi e suksesshme, Dritan Çaka është i idesë që me gjithë faturën e kripur financiare, ajo është zgjidhja për një proces ku vullneti politik numërohet drejt, rezultati i votës del brenda pak orësh dhe veçanërisht nxjerr jashtë loje numëruesit politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *