Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari e konsideron një hap pozitiv krijimin e forcave të reja politike, pasi forcojnë frontin opozitar.

Teksa komentonte prezantimin e “Lëvizja për Ndryshim” të Jozefina Topallit, Hajdari theksoi në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” rëndësinë e alternativave të reja për qytetarët shqiptarë.

“Mendoj se në Shqipëri është gjë shumë e mirë që alternativat e reja po krijohen. Shqiptarët kanë nevojë për përfaqësim, e shtojnë konkurrencën në treg dhe i bëjnë më të përfaqësuara vendet e ndryshme në të gjithë Shqipërinë. Në një vend ku kemi 3 parti që kanë marrë peng vendin dhe kanë tentuar të luajnë me taksat e shqiptarëve, është e udhës që të forcojmë frontin opozitar. Të ftojmë të gjithë që të votojnë kundër Edi Ramës.”

Ne zgjedhjet e ardhshme, deputetja do të garojë nën siglën e lëvizjes “Nisma”, për të cilën tha se përbëhet nga qytetarë të ndershëm, jo të korruptuar.

“Ne planfikojmë të shkojmë në zgjedhje me një lëvizje të re politike, Nisma. Është një lëvizje që bashkon qytetarë të ndryshëm, punëtorë, profesionistë, akademikë, të cilët kërkojnë të punojnë për vendin. Pabarazia në vend është shumë e lartë, meritokracia nuk ekziston.  Asnjë njeri nuk ka qenë i përfshirë në poste ministrore apo në nivele të larta ku përflitet për korrupsion. Kjo është një risi pozitive. Partitë politike duhet t’i ngjajnë lëvizjeve të reja politike.”

Sa i përket etiketimit “kukull” e Ramës nga organi i akuzës së PD, Hajdari reagoi ashpër ndaj opozitës jashtëparlamentare, për të cilën tha se i ka dhënë më shumë pushtet kryeministrit Edi Rama.

“Mendoj që sa i përket këtij komentit nuk ka patur asnjë person më shumë sesa krerët e opozitës jashtëparlamentare që i kanë dhënë më shumë pushtet Edi Ramës. I lanë pushtetin ekzekutiv dhe pushtetin lokal. Shqiptarët i lanë të braktisur në mes të 4 rrugëve. Opozita jashtëparlamentare është bërë palë me Edi Ramën. Është një fakt dhe është e qartë që ne nuk mund të sillemi në mënyrë të papërgjegjshme. Një alternativë është më shumë se e nevojshme, kemi 30 vite që jemi futur në demokraci, por ky sistem është dëmtuar duke patur politikanë të papërgjegjshëm.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *