Një tjetër shpërthim vullkanik u regjistrua mëngjesin e kësaj të premteje në Hawai. Retë e dendura të tymit dhe hirit mbuluan qiellin, ndërsa banorët e Big Island që ndodhen në rrezik, u evakuuan.

 

Shpërthimi u regjistrua rreth orës 04:15 me orën lokale. Edhe stafi që mbante në vëzhgim vullkanin pas shpërthimit të fuqishëm në fillim të muajit, është evakuuar.

 

Agjencia për menaxhimin e emergjencave në Hawai i këshilloi banorët në zonën e prekur nga hiri të mos dalin nga shtëpitë e tyre nëse është e mundur.

 

Vullkani “Kilauea” është një nga më aktivet në botë. Shpërthimi i tij më i madh u shënua rreth dy javë më parë duke shkatërruar të paktën 26 shtëpi dhe 10 biznese, ndërsa shumë rrugë kanë pësuar çarje të mëdha si pasojë e tërmeteve para shpërthimit.

 

Krateri ndodhet brenda Parkut Kombëtar të vullkaneve të Havait. Që prej shpërthimit, shumë pemë janë shkrumbuar, ndërsa niveli i dyoksidit të squfurit në ajër është rritur ndjeshëm. Të paktën 1700 banorë u detyruan të largohen nga zona e rrezikut, pasi autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *