Dëshmia e ambasadorit amerikan në BE, Gordon Sondland i ka dhënë një goditje të fortë jo vetëm presidentit Donald Trump por edhe disa prej zyrtarëve më të rëndësishëm në shtëpinë e bardhë.

 

Gordon Sondland, është dëshmitari i profilit më të lartë që është paraqitur deri më sot në Dhomën e Përfaqësuesve. Gjatë deklaratës së tij, ai tha se presidenti Trump i vendosi kushte homologut ukrainas që të niste hetimet për kundërshtarin politik demokrat, Joe Biden dhe djalit të tij.

 

GORDON SONDLAND

 

AMBASADOR I SHBA NE BE

 

“Unë e di se anëtarët e këtij komiteti shpesh i kanë përshtatur këto çështje të ndërlikuara në formën e një pyetjeje të thjeshtë: A ka ekzistuar një favor në këmbim të një favori? Përgjigja është po. Presidenti kërkoi një hetim në këmbim të vizitës së Volodimir Zelenskit në Shtëpinë e bardhë.”

 

 

Ambasadori amerikan  bëri të qartë se ishte pikërisht avokati personal i presidentit, Rudy Giuliani ai që drejtonte cështjen.

 

 

“Sekretari Perry, ambasadori Volker dhe unë punuam me zotin Rudy Giuliani për çështjet e Ukrainës, bazuar në udhëzimin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ne nuk kishim dëshirë të punonim me zotin Giuliani. E thënë më thjesht, na duhej të luanim me kartat që na u dhanë. Nëse do të refuzonim të punonim me avokatin personal të presidentit, do të humbnim një mundësi kyce për të forcuar marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës. Kështu që ne kemi ndjekur urdhërat e presidentit.”

 

 

Ambasadori Sondland tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe udhëheqja e lartë e Departamentit të Shtetit ishin të mirëinformuar për kontaktet me Ukrainën deri kur u dha asistenca per kete vend në muajin shtator, si dhe hodhi poshtë sugjerimet se mund të jetë vepruar në mënyra të parregullta jodiplomatike.

 

Në dhomën e përfaqësuesve  pritet të dëshmojnë edhe Zv/Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper si dhe NënSekretari i Shtetit David Hale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *