Subscribe

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i përjashton bisedimet mes aktorëve politikë për kreun e ri të shtetit duke thënë se nuk është koha e duhur për këtë lëvizje.

 

Mustafa gjithashtu thekson se duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse në një kohë kur koalicioni aktual qeverisës i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe pakicat, nuk e kanë shumicën prej 80 deputetësh në Kuvend.

 

ISA MUSTAFA KRYETAR I LDK

“Na nevojitet një marrëveshje që siguron 80 vota në kuvend. Tani nuk po diskutojmë pasi është një situatë shumë e ndjeshme, presidentin e vendit e kemi në Hagë, dy ish kryetarët e kuvendit janë atje, nuk është një situatë që nuk duhet ta ketë vëmendjen tonë. Duhet të angazhohemi që të ruajmë dinjitetin e shtetit në mënyrë që viktimat të mos konvertohen në kriminelë pasi lufta e UÇK ka qenë e pastër dhe ne duhet ta mbrojmë. ”

 

Në bazë të Kushtetutës, kryetarja e kuvendit Vjosa Osmani mund të marrë për  6 muaj edhe kompetencat e presidentit, por pas kësaj, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme nëse partitë politike nuk arrijnë konsensus për kreun e ri të shtetit.

 

Deri më tani, kryetari i parisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka shpallur kandidaturën për president, por dy partitë e tjera të koalicionit kanë qenë të rezervuara mbi këtë propozim. Për zgjedhjen e presidentit të ri duhen votat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës apo të Lëvizjes Vetëvendosje por kjo e fundit insiston në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *