Me çmimet e karburanteve që po rriten gjithnjë e më shumë, Konfindustria ka kërkuar që qeveria të rishikojë sistemin e taksave mbi karburantet në vend, duke vlerësuar se pasojat e zhvillimeve ekonomike në Gjirin Persik po rëndojnë gjithnjë e më shumë xhepat e qytetarëve.
“Vlerësimet e modelit ekonomik shqiptar tregojnë se rritja me 30% e çmimit aktual të karburanteve krijon një inflacion prej të paktën 6% dhe një rënie të PBB-së me 2.8–3%. Së pari, kërkohet ulja e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat vjetore të automjeteve, të paktën në mesataren aktuale të vendeve të rajonit. Shqipëria është i vetmi shtet në rajon që nuk ka ndërmarrë asnjë masë të prekshme lehtësuese për krizën e karburanteve. Ndërhyrja me ulje 20% të vlerës së akcizës vetëm kur çmimi i naftës arrin në 220 lekë për litër është e pamjaftueshme dhe e pakuptimtë.”
Konfindustria thekson gjithashtu se Bordi i Transparencës duhet të funksionojë si një institucion i përhershëm, ndërsa mbështet edhe propozimin për krijimin e një kompanie shtetërore që do të sigurojë rezervat strategjike të naftës, një ide që aktualisht është në konsultim publik.
“Së dyti, duhet të fillojë procesi i shndërrimit të Bordit të Transparencës në një Ent Rregullator të Karburanteve, si institucion i përhershëm profesional kundër spekulimeve në tregun kartel të sotëm. Së treti, Konfindustria mbështet propozimin për krijimin e një operatori me kapital shtetëror në tregun me shumicë dhe pakicë të karburanteve. Tregu strategjik i karburanteve ka një qarkullim real vjetor prej pothuajse 2 miliardë dollarësh dhe përbën afërsisht 10% të PBB-së.”
Rritja e çmimit të naftës po kërcënon gjithnjë e më shumë një rritje të përgjithshme të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, siç ndodhi edhe në vitin 2022, kur inflacioni arriti deri në 8%.





