Arba Amataj, maturante e shkollës “Petro Nini Luarasi”, ka arritur të përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet në gara kombëtare dhe ndërkombëtare me një projekt inovativ në fushën e teknologjisë.
“Projekti që quhet “eID”, është një model prototip i Ai i cili perdor identifikimin vizual për të marrë apelin në klasë. Na udhëzuan që mund të merrnim pjesë në një konkurs global më pas që ishte “Global AI changemakers” dhe na u duk shumë interesante. Aplikuam dhe arritëm.”, shprehet maturantja Arba Amataj.
Ajo e sheh këtë si një mundësi për të përdorur më shumë automatizimin në sistemin edukativ, duke integruar platformat kombëtare si E-Albania apo SMIP.
“Unë mendoj se i jemi futur rrugës së automatizimit të platformave E-Albania apo SMIP. Kështu që implementimi nuk do të ishte kaq i vështirë, pasi edhe mjetet që duhen janë vetëm një kompjuter dhe një kamerë,” Programi gjithashtu do të jetë sa më i lehtë që të mund të përdoret nga mësuest. Nëse mund të shikohet me një sy pozitiv, mund të zhvillohet shumë shpejt”, tha maturantja.
E pyetur për fenomenin e uljes së pjesëmarrësve dhe fituesve në olimpiadat shkollore, Arba thotë se kjo lidhet me zgjedhje personale të nxënësve dhe nuk është një pasojë e promovimit të pamjaftueshëm nga shkolla.
“Të mos u druhem mundësive të reja. Shkolla e promovon shumë pjesëmarrjen në olimpiada dhe nxënësit që kanë dëshirë janë gjithmonë aktivë. Mendoj se numri i reduktuar vjen nga synime personale të nxënësve dhe nuk ka të bëjë sa e promovon shkolla ose jo”.
Raporti i kartës së performancës, solli në vëmendje se krahasuar me një vit më parë, të rinjtë kane humbur interesin per aktivitete të tilla dhe numri i fituesve është ulur ndjeshëm.





