Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri pohoi se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të përballuar rastet me koronavirus në Shqipëri.

 

E ftuar këtë të premte në “Vizion Plus”, Pampuri tha se disa mjekë në Durrës nuk ishin të pajisur me maska, teksa theksoi se mbrojtja e personelit shëndetësor duhet të ishte masa e parë.

 

“Konstatoi kemi një përplasje realiteti me propagandën. Nuk duhej të politizohej situata. Vendin e parë e kanë zënë masat që duhet të merren ndaj qytetarëve prandaj kemi ngritur task-forcën, për të nxjerrë në pah të gjitha problematikat. Masat që duhet të merreshin për t’u përballur me këtë epidemi të mundshme. Masa e parë duhet të ishte mbrojtja e personelit shëndetësor dhe mjekëve, kemi parë mjekë në spitalin e Durrësit pa maska ose të blerë privatisht. Numër i kufizuar dorezash. Nuk është  e rëndësishme vendndodhja e karantinës, por a do t’i plotësojë kushtet për të përballuar rastet. A ka ambulance që kanë brenda aparatura aspiratore që janë shumë të rëndësishme për simptomat që paraqet ky virus. Këto ishin masat që i kanë marrë të gjitha vendet e Europës, ne nuk e ndjekim.”

 

Pampuri komentoi edhe deklaratën e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila tha se është investuar në blerjen e 1 .2 milionë maskave mbrojtëse. Sipas saj, është një shifër absude dhe vijim i propagandës.

 

“Qytetarët e kanë ankthin apo panikun edhe nga mungesa e njohurive, nga mungesa e informacioneve që qeveria i ka lënë mangut. Kemi mjekë shumë të mirë, por problemi është se nuk kemi marrë masa për t’u përballur. Deklarata e ministres se kemi investuar për të blerë 1.2 milionë maska. Por një mjek i duhet të përdorë 7-8 maska në ditë. Nuk mund të mbahet më shumë se 1 orë. Është një shifër absurde që minisrja del dhe e trumbeton si sukses të qeverisë së saj. Ka një laborator dhe ne bazohemi në të dhënat që dalin nga ai laborator. Përsa kohë ai laborator nuk ka dhënë akoma një të dhënë që ka një përson të prekur brenda Shqipërisë, në nuk mund të themi asgjë më shumë, sepse janë ekspertët që merren me gjëra të tilla.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *