Lideri i opozitës, Sali Berisha ishte këtë të hënë në Kavajë, një prej 7 bashkive që e djathta fitoi në zgjedhjet e 14 majit, për t’iu bërë apel qytetarëve të ngrihen në protest kundër qeverisë. Duke pasur në krah kryebashkiakun Fisnik Qosja dhe deputetin Dalianji, Berisha hoqi paralele mes diktatures komuniste dhe qeverisjes se Edi Ramës, duke theksuar se është koha që qytetarët të reagojnë njësoj si në vitin 90.
SALI BERISHA
“Është koha të ngrihemi kundër këtij regjimi dhe t’i japim duart, siç i dha Kavaja e para, dhe pas Kavajës Shqipëria, 30 vite më parë, regjimit më të shëmtuar që Europa kishte njohur në histori.”
Lideri historik i PD, Berisha u shpjegoi demokratëve se është kundër krijimit të një partie të re, edhe pse beteja gjyqësore nuk dihet se kur perfundon. Sipas Berishës, kryeministri Rama nuk mund të marrë logon e PD.
Lideri i opozitës i cili ka qenë deputet i Kavajës deri në vitin 2009, akuzoi kryeministrin se perdori SPAK për ta sulmuar atë dhe PD.
“Çfarë demokracie ka, kur për të mposhtur këtë lëvizje, vendos masa sigurie, në aktin më të turpshëm ndaj kryetarit të opozitës, për të cilin 3 vite hetime, nuk kanë gjetur asnjë shkelje ligjore, nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument që të përbëjë shkelje ligji, që të mund të ngrejë padi penale. Jo. Por si person në dyshim, si armik, do i përcaktoj këto masa.”
Me herët partia e drejtuar nga Berisha nëpërmjet një deklarate sulmoi ashpër gjyqtaren, Irena Gjoka e cila miratoi masën e sigurisë ndaj liderit të opozitës. PD akuzoi gjyqtaren se është shkarkuar për korrupsion në vitin 1996 duke paralajmëruar publikimin e fakteve rreth këtij shkarkimi.