Përgatitjet për testet e Maturës Shtetërore janë drejt përfundimit, teksa maturantët ndodhen vetëm pak ditë larg provimeve. Sipas tyre, kjo periudhë ka qenë intensive dhe e domosdoshme për të strukturuar informacionet e përfituara gjatë tre viteve të gjimnazit.
“Mendoj që ka qenë shumë e nevojshme, pasi kemi marrë informacion mjaft të gjerë, që nga viti i parë deri në vitin e tretë. Janë koncepte që kanë nevojë për përsëritje. Na ka ndihmuar goxha për t’u përgatitur mirë. Sigurisht që është pak e vështirë. Fatmirësisht kemi tezat e mëparshme që na kanë ndihmuar të dimë strukturën që do të ndiqet për tezat e maturës. Në rast se kemi pasur dilema, kanë sjellë në shkollë universitete të ndryshme që kanë ofruar shërbimet dhe një gamë të gjerë të universiteteve. Ishte në strukturën e një testi mature. Pas provimit të parë, emocionet u larguan. Rezultate të cilat i prisja”, tha maturantja Fjona Bekteshi.
“Për shkak se kemi kohë që përgatitemi, kemi zhvilluar përgatitje të vazhdueshme që nga janari, por përgatitja ka filluar që në fillim të vitit. Mësueset kanë bërë zhvillimin e testeve të viteve të kaluara.“, shprehet Lorena Shllaku, maturante.
Maturantët kanë zhvilluar gjithashtu edhe testet provë përgatitore, të bazuara në tezat e viteve të mëparshme, një proces që ka shërbyer për njohjen më të mirë të strukturës së provimit dhe disiplinës që ai kërkon.
Ne kemi filluar që në janar. Kemi bërë intensivisht konsultime edhe gjatë mësimit. Ne i kemi zhvilluar siç do të zhvillohen provimet e maturës. Edhe ndarjen në klasa e bëmë sipas provimit. Kemi dorëzuar telefonat, gjithçka si strukturë e maturës. Vështirësia nuk mu duk shumë e madhe, sepse mora notat që prisja të merrja., vijon Lorena.
Përsa i përket lëndëve me zgjedhje, pas plotësimit të formularit A1/A1Z, pjesa më e madhe e maturantëve kanë ndjekur të njëjtën prirje tradicionale të viteve të fundit, duke fokusuar zgjedhjen në lëndë me karakter shkencor, me interes të lartë në informatikë.
“Përgjithësisht nxënësit orientohen drejt profesioneve dhe kërkesave të fakulteteve. Në shumë raste ka ndodhur që nxënësi ka zgjedhur një lëndë ku ndihet i sigurt, ndonëse fakulteti nuk ia kërkon, por maturanti është ndjerë më i sigurt. Vazhdon kjo tradita për të zgjedhur ekonominë apo qytetarinë si një nga lëndët që i orienton në degët shoqërore”, tha mësuesja koordinatore në gjimanzin Ismail Qemali, Jonida Varfi.
Maturantët do të nisin zhvillimin e provimeve që prej datës 3, duke përfunduar më 24 qershor. Të gjitha provimet do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 orë e 30 minuta.
/vizionplus.tv





