Bashkia e Tiranës po nxit lëvizjen me skuter, si një mjet që nuk ndot ambientin. Për këtë qëllim, bashkia, duke përdorur aplikacionin “Bin Bin” ka shpërndarë në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit 500 skuterë të rinj, që mund të përdoren nga qytetarët.

“Tirana është bërë një qytet tejet turistik. Kjo do të thotë se qyteti, gjithmonë e më shumë, do t’i ofrojë mjete të tilla edhe për një treg tjetër, ndërkombëtar. Pra, nuk është momenti për t’i vandalizuar, as për abuzim, janë mjete që kushtojnë dhe duhen mirëmbajtur nga secili prej nesh, që ta lëmë në të njëjtën gjendje që e gjetëm”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Erion Veliaj bëri thirrje për përdoruesit që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

“Duhet të respektojmë sigurinë dhe përdorimi i kokores është absolutisht i nevojshëm dhe i këshillueshëm. Ky nuk është një mjet akrobatik. Ky është një mjet pune për të shkuar nga pika A te pika B, nëse pika A dhe pika B është një hapësirë e vogël, dhe jo jashtë Tirane. Është shumë e rëndësishme që të zbatojmë atë që quhet demokracia e rrugës”, deklaroi Veliaj.

Sipas Veliajt, skuterat janë mjete që përdoren për lëvizje të vogla brenda qytetit dhe është një mënyrë e mirë për të shfryrë trafikun në Tiranë./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *