Subscribe

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar kabinetin e ri qeveritar. Dekreti presidencial do t’i kalojë seancës plenare të së hënës paradite për votim nga deputetët. E hëna do të shënojë përballjen e madhe mes mazhorancës dhe opozitës. Në orën 10:00, ligjvënësit do të mblidhen në seancë parlamentare, ku kryeministri Edi Rama do të prezantojë programin e qeverisë për 4 vitet e ardhshme, pjesë e cila do t’i lë vendin debatit e më pas votimit të qeverisë. E ndërkohë, një ditë më parë kreu i shtetit dekretoi Edi Ramën si kryeministër në mandatin e tij të dytë qeverisës. Mëngjesin e së hënës kryetari i Kuvendit Ruçi, pritet të thërrasë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku do të diskutohet mbi rendin e ditës, i cili përmban prezantimin e programit dhe votimin e qeverisë.

 

Shtyllat kryesore të programit, që përbën 28 faqe, kanë të bëjnë me zbatimin e reformës në drejtësi e në mënyrë të veçantë me konkretizimin e procesit të vetingut, si dhe ngritjen e institucioneve të reja të gjyqësorit dhe prokurorisë. Synohet reformë në sistemin e hartimit të legjislacionit dhe në tërësi sistemin e kodifikimit. Do të përmirësohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale të këtij sistemi, duke ndryshuar më së pari mënyrën e rekrutimit të personelit përbërës të këtij sistemi. Përmes zbatimit të plotë të këtij program, synohet një rritje ekonomike mesatare rreth 4.5 përqind për të arritur në rreth 5.5 – 6 % të PBB-së në fund të mandatit. Programi 2017-2021 rikonfirmon konsolidimin fiskal si një objektiv prioritar të tij. Qeveria Shqiptare angazhohet për uljen graduale të borxhit publik në rreth 60% të PBB-së deri në fund të mandatit. Investimet publike të financuara nga buxheti i shtetit do të jenë rreth 5% e PBB-së.

 

Në programin qeveritar, arsimi është një tjetër shtyllë kryesore, rruga kryesore e progresit dhe e përballimit të sfidave të integrimit euroatlantik.  Në sektorin e shëndetësisë, parashikohet se deri në vitin 2021, koha e pritjes për të gjitha shërbimet spitalore do të përgjysmohet. Urgjenca mjekësore në territor do të forcohet në kapacitete njerëzore dhe mjekësore. Procesi i integrimit europian, mbetet prioritet i qeverisë shqiptare, duke synuar sa më parë të procesit të negociatave për anëtarësim dhe përmbylljen e kapitujve kryesorë në këtë proces. Qeveria e re, pasi të marrë votëbesimin në Parlament, do të betohet para Presidentit të Republikës, i cili mesohet se do të kthehet në atdhe të martën në drektë, pas vizitës zyrtare në Itali. Cereomi e cila mund të zhvillohet pasditen e së martës, ose paraditen e së mërkurës. Pavarësisht ceremonisë, e sigurt është që ministrat e qeverisë “Rama 2” të mërkurën do të jenë në detyrë, kur pritet të zhvillohet edhe mbledhja e parë e qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *