Subscribe

Vota pro në parim për reformën në drejtësi, mori vlerësime nga të gjithë. Kryeministri Edi Rama konsideron si një hap të madh përpara votimin ne parim te draftit kushtetues nga Komisioni i Posaçëm, ne ditën e Europes. Edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, përshëndeti miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, tashmë duhet të vazhdojë puna me përkushtim për miratimin përfundimtar te Reformës. I menjëhershme ka qenë edhe reagimi i diplomatit amerikan Donald Lu. Përmes një mesazhi, ambasadori amerikan thekson se mbështetja unanime për këtë vendim duhet t’i japë popullit shqiptar shpresën se tani udhëheqësit politikë janë të përkushtuar ndaj miratimit të kësaj reforme. Më herët, para votimit në parim të paketës së ndryshimeve kushtetuese, kryeministri Edi Rama, ka shfrytëzuar festimet për Ditën e Europës, për të dhënë mesazhin se reforma garanton drejtësi dhe askush nuk do t’i shpëtojë asaj.

Edi Rama: Përfitoj nga rasti t’u them të gjithë atyre që janë shqetësuar lidhur me një nen të draftit se, nuk do të ketë absolutisht asnjë amnisti për askënd që në të gjithë këto vite i ka shpëtuar drejtësisë. Çka do të thotë se, nuk do të lejohet asnjë përjashtim dhe besoj se në këtë pikë nuk do të jetë e vështirë për të pasur konvergjencë të plotë midis të gjithë partive. Pika, që u bë dhe objekt diskutimi dhe që shumëkush me të drejtë e mori me shqetësim, sepse shfaqej në formën e një amnistie, tregon vetëm që edhe miqtë dhe partnerët tanë që na mbështesin dhe na ndihmojnë me shumë dëshirë e vullnet, janë të gabueshëm.

Ndërkohë që ambasadori amerikan Lu, gjatë një aktiviteti për të drejtat e njeriut, theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin me vëmendje procesin pë reformën në drejtësi.

Donald Lu: Dua të theksoj rëndësinë e mbledhjes së sotme të Komisionit të posaçëm  të reformës në drejtësi. Ata do të diskutojnë dhe votojnë në parim draftin e propozuar nga ekspertët nga Komisioni i Venecias. Besojmë se do të jetë votë unanime në favor që do të demonstrojë unitetin kombëtar që kërkohet nga populli shqiptar. Po e monitorojmë nga afër këtë proces.

Për të mbërritur në votimin unanim në Komisionin e Posaçëm, faktori ndërkombëtar përdori të gjitha mjetet bindëse. Madje nuk munguan as edhe ultimatum i ambasadorit amerikan drejtuar klasës politike shqiptare, sipas të cilit nëse reforma nuk votohej, do të turpëroheshin para popullit dhe Amerikës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *