Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi tregoi se tubimi i 2 marsit nuk do të jetë i dhunshëm. Sipas tij, përmes kësaj proteste do të kundërshtohet dhuna sistematike që po ushtrojnë një grup puçistësh.

 

Për këtë arsye, Blushi u bëri thirrje qytetarëve në “Facebook” që të bashkohen në protestë të hënën me flamuj kuq e zi dhe lule mimoza në duar.

 

“Me rastin e Manifestimit madhështor Mbarëkombëtar që po afron kërkojmë jo vetëm pjesëmarrjen Tuaj, por edhe bashkëpunimin për realizimin e tij në mënyrën më qytetare, europiane dhe patriotike. Theksojmë edhe njëherë qëllimin gjithëpërfshirës të këtij Manifestimi, ndaj vetëm flamujt kuqezi janë të mirëpritur. Theksojmë se ky është Manifestim, jo për dhunë ndaj institucioneve, por kundër dhunës sistematike që një grup puçistësh ushtrojnë ndaj Kushtetutës dhe të drejtave tuaja kushtetuese. Ndaj nëse mundeni edhe mimozat janë të mirëpritura. Ju ftojmë të shmangni çdo incident dhe provokim nga cilido, dhe përdorni celularin tuaj për të regjistruar çdo gjë.”

 

Tedi Blushi theksoi se e gjithë vëmendja në 2 mars do të jetë tek Shqipëria, prandaj aktet e dhunës duhet të shmangen.

 

“Për mbarëvajtjen e Manifestimit do të ketë 3 mijë aktivistë me shirita kuqezi! Ju lutem bashkëpunoni me ta! E gjithë Europa dhe bota do t’i ketë sytë në Tiranë më 2 mars. Aty ku do të jeni edhe ju! Mirësevini në pranverën kuqezi!”

 

Prej disa ditësh presidenti Ilir Meta po përgatitet për protestën e 2 marsit kundër qeverisë. Tubimi do të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 17:00. Opozita ka shprehur mbështetje për presidentin, por ende nuk dihet nëse lideri i PD, Lulzim Basha do të jetë i pranishëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *