Të paktën 20 persona janë shoqëruar deri më tani në Policinë e Lezhës: ata janë marrë në pyetje në lidhje me vrasjen mafioze të Klisman Preçit dhe plagosjen rëndë të Ylli Brahimit.

 

Të shoqëruarit janë persona me precedent penal, apo të afërm të Brahimit dhe të viktimës, por dëshmia e tyre nuk ka dhënë informacione që mund të çojnë drejt identifikimit te autorëve.

 

Ndërkohë që hetimet janë shtrirë edhe në disa zona të tjera, si në Kurbin, Shkodër e Fushë-Krujë.

 

Burime të policisë bënë të ditur se autorët kanë qëlluar me armë zjarri më shumë se 3 minuta ndaj Brahimit dhe Preçit. Në automjetin e tyre gjysmë të blinduar nuk është gjetur asnjë armë zjarri, kjo për faktin se i plagosuri ishte i sigurt në makinën e tij. Por mesa duket autorët i kishin marrë masat, pasi plumbat e përdorur ishin tejshpues.

 

Ekspertët kanë dërguar për ekzaminim telefonat celularë të Klisman Preçit dhe të Ylli Brahimit, ku shpresohet se mund të gjejnë ndonjë të dhënë për konfliktet që këta të fundit mund të kenë patur me persona të tjerë.

 

Nga ana tjetër, Ylli Brahimi edhe pse e ka kaluar rrezikun për jetën, vijon të jetë i shtruar në reanimacion në gjendje të rëndë. Pritet që efektivët e policisë të tentojnë sërish ta marrin në pyetje.

 

Ngjarja e Milotit dhe masakra e Fushë-Krujës zyrtarisht nga organi i hetimit nuk po hetohen së bashku, pasi mungojnë provat, pavarësisht dyshimeve se mund të kenë lidhje me njëra tjetrën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *