Ky është një zhanër teatral që i ka munguar skenave tona. Një tango e interpretuar jo vetëm me trup, por edhe me zë. Ky është akti që mbyll shfaqjen “Të çmendurit Adams”. Por, përpara kësaj tangoje, shfaqja rrëfen shumë më tepër. Përballja e dy familjeje, një amerikane dhe një shqiptare vjen në interpretimin e 14 aktorëve të cilët janë përzgjedhur me shumë kujdes nga regjisori Endri Çela. Adams që të gjithë i njohin si të çmendur përballen me një familje patriakale shqiptare, sepse vajza e tyre Wednesday dashurohet me një djalë shqiptar. Ajo që nuk është normale për shqiptarët është çmenduri, por përtej të gjithave çfarë e përcakton normalen brenda një familjeje? Një shfaqje në fund të së cilës shumë pyetje marrin përgjigje e ku përtej dukjes fshihen jo pak norma, tradita dhe shumë dashuri. Muzika është elementi që e bën edhe më të veçantë këtë shfaqje. Gjithçka do të jetë në shqip edhe pse muzika është e njëjta me shfaqjen e fundit që është vendosur në Broduej. Pas nuk ngelet grimi dhe kostumografia, të cilat janë përshtatur më së miri me karakteret dhe lehtësinë për të ndjekur koreografitë e realizuara nga Aledia Kondaj. Vërtet nuk kemi kostume popullore, por skenës nuk i mungojnë ngjyrat e flamurit tonë dhe errësira që i duhet familjes Adams. Kjo komedi muzikale vjen për publikun këtë fundjavë dhe i dedikohet të gjithë familjes.