“Të bëhemi bashkë për BE-në”, Rama: “Aleanca për kënetën madhështore” nuk ka asnjë shans
Kryeministri Edi Rama në komunikimin e radhës me ndjekësit në rubrikën e tij “Sy më Sy”, iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste si e vetmja forcë politike sipas tij që mund të çoj përpara procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rama: Pasaportën mund ta marrim nëse bëhemi bashkë në 11 maj sepse nëse bëhemi bashkë në 11 maj dhe marrim bashkë një mandat të fuqishëm për të përmbyllur negociatat pa humbur asnjë minutë kohë, pa asnjë luhatje, pa asnjë diskutim të brendshëm këtu e lagu nuk e lagu “E fitoi ky po duhet dhe ai” dhe minutë për minutë, orë për orë, ditë për ditë, në 2027 i japim fund negociatave, atëherë jemi anëtarë të Bashkimit Europian . Marrja e pasaportës së BE është shumë më tepër se lëvizje e lirë. Që kur hyjmë në një kufi të BE. Pasaporta e BE na bën qytetarë të dorës së parë, sepse nuk ka më kufi për ne, nuk hyjmë më në radhë për të shkuar tek ai polici.
Kryeministri ka vijuar ironinë ndaj koalicionit opozitar, duke e quajtur “Aleanca për Kënetën Madhështore”.
Rama: Është një AKM-Aleanca për Kënetën Madhështore. Tani nuk e di si do futeni aty. Nuk e di. Edhe Selami Jenisheri ishte distancuar nga Aleanca, se ata në fakt kanë luftë të fortë për pushtet me Kujtim Gjuzin. Kujtim Gjuzi po është kryeministri në hije i Aleancës, sepse e vetmja gjë madhështore që ka ajo aleancë, janë mustaqet e Kujtimit. Por situata në kënetë është turbulente, megjithatë pa problem, se i ha bufi ata dhe i kollofit. E keni parë listën e bufit si e ka bërë? listë për opozitë qëndrestare! Bufi e di më mirë nga të gjithë që s’ka asnjë shans, dhe ka bërë një listë për opozitë qëndrestare.
Një mesazh kishte edhe për Lulzim Bashën, me të cilin prej disa ditësh shkëmben batuta në distancë.
Rama: Do t’i jap një përgjigje se më ka kërkuar dje prap. Thotë, lere të flejë dhe një çikë. Sa është ora? Ora 9.08, nga 12:00 zgjohet, tani që është zgjuar, se kur nuk zgjohet, nuk zgjohet. Ai feston Vitin e Ri, të nesërmen në mëngjes fle gjumë dhe zgjohet në Pranverë, zgjohet në Pranverë, normalisht. Dhe Pranvera për të nuk fillon as Ditën e Verës në 14 mars, as në 22 mars, fillon në 22 qershor, por është zgjuar këtë herë, është zgjuar. Më ka surprizuar.
Kryeministri Rama tha se ajo që është bërë në tre mandate të qeverisjes së tij nuk është bërë nga asnjë nga qeverisjet paraardhëse./vizionplus.tv




