Lutjeve prej muajsh të drejtuesve të federatave sportive, kryeministri Edi Rama i thotë një po parimore kërkesës këmbëngulëse të tyre për të ri-jetësur bastet. Por jo si një paketë e tërë, vetëm ato online.
Në bashkëbisedimin me të interesuarit në mënyrë të drejtpërdrejt nga formalizimi i këtij aktiviteti që zhvillohet në paligjshmëri, Edi Rama tha se është koha që përfitimet që burojnë nga ky biznes të deklarohen.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Diskutimi këtu bëhet për atë pjesë të lojërave të fatit që faktikisht të gjitha argumentet edhe eksperienca pas mbylljes flasin për pamundësi për ta frenuar dhe për krijimin e një kanali përfitimesh jashtë kanalit legal dhe për vajtjen e përfitimeve në portofole të zeza individësh që jo në një rast por në më shumë se një rast kanë profil kriminal në vend që të shkojnë te shteti.
Për të argumentuar vendimin e qeverisë së tij, pasi në 2019, operacioni i udhëhequr nga ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri “Fundi i Marrëzisë” çoi në mbylljen e pikave të basteve, Edi Rama sqaroi se vendimi për të ndaluar edhe bastet online u diktua nga një tjetër arsye.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Ne ishim qysh atëherë skeptik për pjesën e basteve online. Por ju kujtohet që atëherë u ngritë një furi e madhe që kjo po bëhet për Olsi Ramën , e kjo po bëhet për këtë e ku di unë se kë dhe për të mos hedhur në erë një proces dhe një nismë shumë të rëndësishme ne i përfshim edhe bastet online sportive.
Atyre që po ia kërkojnë formalizimin e basteve online, Edi Rama u tha se do të jenë kompani ndërkombëtare ato që do ta zhvillojnë këtë aktivitet.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Do të vendosim kushte shumë të forta, do të kërkojmë që patjetër, që nëse kjo do të bëhet do të bëhet me kompani ndërkombëtare. Nuk do të lejojmë riciklimin e asnjë lloj gjëje që nuk sjellë këtu kulmin e transparencës, kulmin e garancisë për lojtarët dhe patjetër edhe kulmin e ligjshmërisë.
Përfituesit e të ardhurave që do të gjenerohen nga biznesi fitimprurës i basteve do të jenë kryesisht për sportistët dhe më pak për artistët.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Do ta bëjmë të pamundur që këto të ardhura që ne i llogarisim që të jenë shumëfish më shumë se nga çfarë ne kontribuojmë për sportin çdo vit, të shkojnë për sportin, kulturën dhe rininë. Sigurisht që këtu pjesën e luanit do ta marrë sporti.