Subscribe

Kombëtarja e të amputuarve kuqezi nesër do të bëjë debutimin e saj zyrtar në një ndeshje miqësore me Greqinë. Edhe pse futbolli i të amputuarve është një sport jo shumë i njohur në Shqipëri, forca dhe motivimi që këta djem kanë për të ecur përpara tejkalon çdo gjë.

 

Iniciatori i kësaj skuadre, Julian Çela, thotë se kishte shumë që e priste këtë ditë, ndërsa tregon se vështirësitë kanë qenë të mëdha.

 

JULIAN ÇELA 

INICIATORI I KRIJIMIT TË SKUADRËS SË TË AMPUTUARVE

“Ne shohim që këta djem kanë gjetur forcën për t’u ringritur dhe për ta ndjekur përsëri pasionin e tyre. Të them të vërtetën është e vështirë për shtresën tonë, si Kombëtare që jemi krijuar këto dy vite nuk është se kemi mbështetje. Ҫdo gjë bëhet vullnetarisht nga djemtë. Doja të falenderoja Federatën e Futbollit që është mbështetëse e këtij projekti dhe po na ndihmon në këto dy ndeshje miqësore që ne do të zhvillojmë në Greqi, që janë dhe të parat për ne jashtë kufijve. Do doja t’i bëja thirrje të gjithëve për të na mbështetur sepse këta djem kanë nevojë për ndihmë. Futbolli nuk bëhet vetëm në fushë por ka nevojë për ndihmë materiale dhe financim me pak fjalë, duke parë që pjesa më e madhe e djemve janë të papunë.”

 

Trajneri i skuadrës, Aldo Muçallari, thotë se pasioni që këta djem kanë për të luajtur futboll vërehet që në fytyrat e tyre .

“Duke parë historitë e tyre duhet të them se këta persona i kanë lënë të gjithë problematikat pas dhe vijnë e mblidhen këtu për një garë, për një stërvitje, për një aktivitet që ata të jenë të lumtur. Pavarësisht problemeve që kanë ata përpiqen të kënaqen nëpërmjet futbollit dhe sigurisht që këta janë një shembull frymëzimi për të gjithë ata që duan të merren me sport, por edhe për personat e tjerë në Shqipëri që janë të amputuar”.

Miqësorja me Greqinë  në Athinë do të luhet në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian që do të zhvillohet në shtator në Krakov të Polonisë.

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *