Të akuzuar për ndikim të paligjshëm ndaj zyrtarëve, GJKKO dënon tre persona (Emrat)

SPAK ka dorëzuar pranë Gjykatës kërkesën për gjykimin ndaj tre të pandehurve, Musa Gjikola, Erjon Dani dhe Vilson Roçi.
Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar dhe, më datë 5 shkurt 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Atalanta Zeqiraj dhe Flojera Davidhi, vendosi:
Musa Gjikola u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (episodi 1) dhe u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim. Në bazë të uljes 1/3 të dënimit, ai do të vuajë 1 vit burgim nga data e arrestimit më 11 korrik 2025.
Erjon Dani u shpall fajtor për të dy episodet e akuzës për “Ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave publikë” dhe u dënua fillimisht me 2 vite për secilin episod. Pas bashkimit të dënimeve dhe zbritjes 1/3, dënimi përfundimtar është 2 vite burgim, gjithashtu duke filluar nga momenti i arrestimit më 11 korrik 2025. Ai u shpall i pafajshëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Vilson Roçi u shpall fajtor për dy episode të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave publikë” dhe u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj për secilin rast. Pas bashkimit dhe uljes 1/3, dënimi përfundimtar është 1 vit burgim, i cili do të fillojë nga data e arrestimit më 11 korrik 2025.
Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore të ngarkohen solidarisht tek të pandehurit e shpallur fajtorë. Zbatimi i vendimit i ngarkohet SPAK-ut, ndërsa kundër tij mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 ditëve.




