Të akuzuar për grup kriminal, Apeli lë në burg Erzen Breçanin dhe Dedan Gjonin

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për masën e sigurisë ndaj ish-zyrtarit të policisë, Erzen Breçani, ish-shefit të krimeve në komisariatin nr.6, Dedan Gjoni, dhe dy personave të tjerë, Besmir Muratit dhe Bujar Ajetit.
Erzen Breçani dhe Dedan Gjoni akuzohen për pastrim parash, grup të strukturuar kriminal, trafik droge dhe sigurim të kushtesh për të kryer vrasje.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 04.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 61 akti, datë 26.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim Besmir Murati, Bujar Ajeti, Dedan Gjoni dhe Erzen Brecani me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 128, datë 23.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
1. Miratimin e vendimit nr. 124, datë 17.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate;
2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, thuhet në njoftim.
Në dosjen e SPAK thuhet se Breçani dyshohet të ketë përkrahur dy autorë krimesh: Bujar Gërmizin dhe Nuredin Dumanin, duke iu dhënë informacione për t’iu shmangur arrestimit. Po ashtu, në bisedat telefonike përmendet edhe një episod i kalimit të një shume prej 500 mijë eurosh, që besohet se ai e ka investuar në biznese.
Ndërkohë, Gjoni dyshohet se ka dhënë informacione për vendndodhjen e dy vëllezërve Albert e Edmond Nela, që ishin vënë në shënjestër për tu ekzekutuar nga Ismail Zeneli, i shpallur në kërkim.
Sipas SPAK Dedan Gjoni ka kërkuar informacione në sistemet kryesore të policisë ku kishte akses. Po ashtu një tjetër moment është edhe përdorimi i agjentes së Interpolit, Jonida Babameto, për të siguruar të dhëna të klasifikuara për bashkëpunëtorë në botën e krimit e personazhe të tjerë. /vizionplus.tv




