Subscribe

Vonesa në miratimin e ligjit të amnistisë, ka bërë që një pjesë e mirë e bizneseve të paguajnë gjobat, të cilat sistemi iu vuri për shkak të një problemi teknik që pati, duke mos i dhënë mundësi të deklaronin në kohë punonjësit. Duke qënë se faji ishte i vetë regjistrit online të Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe faqes së Drejtorisë së Tatimeve për shkak të mbingarkesës së rrjetit, ministri i Financave Arben Ahmetaj, tha pak kohe me pare, se gjobat do të falen. Këtë, Ministria e Financave e zyrtarizoi me anë të një drafti amnistie më gjithëpërfshirës për biznesin. Por vonesat në miratimin e këtij ligji ka bërë që një pjesë e mirë e 33 mijë bizneseve të gjobitura në qershor të këtij viti, të paguajnë detyrimin prej 10 mijë lekësh të rinj. Shkak është automatizimi i sistemit të tatimeve që i çon një shkresë për debitë çdo ndërmarrjeje njëherë në dy muaj, dhe çështja tjetër është se asnjë biznes nuk merr dot një vërtetim të thjeshtë në drejtoritë rajonale për të mbyllur aktivitetin pa paguar më parë detyrimet. Këto shkresa janë disa raste ku pronarët e dyqaneve të vogla në Tiranë janë detyruar të paguajnë debinë. E kontaktuar nga Vizion Plus, Ministria e Financave thotë se pret përfundimin e ligjit për faljen e gjobave pas vizitës së ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ditën e enjte. Por edhe nëse drafti miratohet, askush nuk ia kthen mbrapsht bizneseve paratë që kanë paguar. Gjobat e gabuara të sistemit ndaj biznesit të vogël në fund të qershorit kapën vlerën e 3 milion dollarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *