Ajo që ishte parashikuar ndodhi.
Mungesa e të dhënave në sistemin e banesave ka bërë që taksa e pronës e llogaritur me metodën e re nuk do të arkëtohet në muajin Maj.
Nuk përjashtohet mundësia që qytetarët të paguajnë dy apo më shumë muaj së bashku. Kjo do të ndodhi deri sa bashkitë të krijojnë një databazë të saktë të dhënash.
“Ajo është një taksë vjetore për rrjedhojë mund të vijë dy, tre apo dhe 6 muaj së bashku. Ndoshta qeveria dhe bashkia mund ta sjellë edhe në fund të vitit për 9 muaj bashkë. Por ajo që mund të them është se nuk kanë pse penalizohen qytetarët, duke paguar dy apo më shumë muaj njëherësh se qeveria dhe bashkitë nuk janë gati”-thotë Agron Haxhimali, kryetar i Shoqatës së Bashkive.
E gjithë kjo situate ka ardhur nga mungesa e koordinimit. Kreu i shoqatës thotë se janë një sërë institucionesh shtetërore që do të duhet të jepnin të dhëna në bashkitë përkatëse, por ato nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Unë them se qeveria qendrore po i lë në baltë njësitë vendore. Pse e them këtë. E them pasi janë një sërë institucionesh, si hipotekat, OSHEE, Qendra Kombëtar e Biznesit apo dhe Enti Kombëtar i Banesave që duhet t’i jepnin bashkive të dhëna për të zbatuar taksën e pasurisë. Por ato nuk e kanë bërë. Ndaj bashkitë nuk janë ende gati”
Kjo do të thotë se të paktën për muajin Prill, taksa e pronës do të vij 100 lekë në faturën e ujit. Ndërsa më pas mbetet për t’u parë ecuria e saj.