Subscribe

Ngërçi i krijuar në reformë në drejtësi, pas bojkotit të opozitës të mbledhjeve të ekspertëve të nivelit të lartë, ka vënë në lëvizje krerët e mazhorancës, për t’i gjetur një zgjidhje kësaj situate. Takimi mes kryeministrit Edi Rama, kreut të Kuvendit Ilir Meta, Ministrit të Drejtësisë Manjani, drejtuesit të Komisionit të Reformës në Drejtësi Xhafaj, dhe dy kryetarëve të grupeve parlamentare PS-LSI, që zgjati për rreth 1 orë e 45 minuta, vjen një ditë pasi ambasadori amerikan Donald Lu, zhvilloi një takim pune të pazakontë prej 3 orësh me kryetarin e Parlamentit. Edhe pse mazhoranca i ka votat, kompromisi politik duket i nevojshëm. Në fund të këtij takimi, kryeparlamentiari Meta, kërkoi ndërprerjen e bojkotit dhe vijimin e punës. Për të shmangur një kalim të reformës pa votat e opozitës, Meta tha se përpjekjet për gjuhë të përbashkët me demokratët do vazhdojnë. Procesi ka ecur pozitivisht tha kreu i Kuvendit, por se nuk mund të thuhet se ka përfunduar. Ndërkohë që kryeparlamentari shkoi në zyrën e tij, kryeministri Rama iu drejtua selisë së presidencës, për një takim me kreun e shtetit Bujar Nishani. Vetëm një ditë më parë, Presidenti i Republikës u vetëofrua si negociator për zgjidhjen e ngërçit politik. Takimi Nishani-Rama, i cili ishte kërkuar nga kreu i qeverisë Rama, zgjati për rreth 1 orë e 30 minuta, u përqendrua në ecurinë e procesit të reformës në sistemin e drejtësisë. Nuk janë dhënë detaje mbi bisedën e krerëve të shtetit, por mësohet se kryeministri Rama, ka folur mbi hapat e ndërmarra mbi reformën në drejtësi dhe domosdoshmërinë e miratimit të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *