Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar sot një takim me kryediplomatin e OSBE, Del Monaco, me të cilin ka diskutuar për angazhimin e përbashkët të dy vendeve për të mbështetur zgjedhjet e lira e të ndershme, reformën në drejtësi dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

 

Përmes një postimi në “Twitter”, kryediplomatja amerikane thekson se SHBA dhe OSBE inkurajojnë Shqipërinë që të mundësojë votën e diasporës sa më shpejt që të jetë e mundur, siç e kërkon Kushtetuta.

 

“U takova me ambasadorin e OSBE-së, Del Monaco, për të diskutuar angazhimin tonë të përbashkët për të mbështetur zgjedhjet e lira dhe të ndershme, reformën në drejtësi dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ne inkurajojmë Shqipërinë që të mundësojë votën e diasporës sa më shpejt që të jetë e mundur, siç e kërkon Kushtetuta. SHBA është e kënaqur të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të forcuar institucionet dhe proceset gjyqësore, duke përfshirë zhvillimin e programit të ri të masterit në kriminologji”, shkruan ambasadorja Kim.

 

Nga ana tjetër prezenca e OSBE në Tiranë përmes një reagimi në “Twitter”, thekson se ambasadori Monaco dhe ambasadorja Kim kanë rënë dakord që të forcojnë punën e tyre të përbashkët për fuqizimin e Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK-ut.

 

“Gjithmonë kënaqësi takimi me ambasadoren e SHBA në Shqipëri. E falënderuam atë për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të vazhdueshëm me OSBE në Shqipëri, për aspekte të shumta të shtetit të së drejtës dhe zbatimit të ligjit, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar. Ramë dakord të forcojmë punën e përbashkët për një Gjykatë Kushtetuese dhe SPAK të fuqizuar. Shprehëm inkurajimin tonë që Shqipëria të mundësojë votimin nga jashtë vendit, siç përcaktohet në Kushtetutë, dhe mbetemi të gatshëm të japim ndihmën tonë”, thuhet në mesazhin e Prezencës së OSBE në Tiranë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *